Kuvend joproduktiv, shtatë nisma në muaj, më shumë akte normative se sa ligje

Nga A2 CNN
21 Mars 2022, 13:22 | Politikë
Kuvend joproduktiv, shtatë nisma në muaj, më shumë akte

Rikthimi i Partisë Demokratike në Kuvend është artikuluar si rikthimi i opozitës së vërtetë, por statistikat parlamentare nuk tregojnë ndonjë ndryshim të madh nga legjislatura e mandateve të djegura. 

Shtatë ligje në muaj, kjo ka qenë mesatarja e punës e deputetëve shqiptarë në shtatë muaj punë.

Nga 49 akte të miratuara, 20 kanë qenë ratifikim marrëveshjeje, ndërsa 14 amendamente të ligjeve ekzistuese, ose thënë më qartë korrigjim të nismave nga problematikat e hasura në zbatim. Mazhoranca e Edi Ramës akuzohej një vit më parë se qeveriste me akte normative duke anashkaluar Kuvendin, por shifrat thonë se kjo formë qeverisëse mbetet më e preferuara e ekzekutivit shqiptar, ku krahas tetë akteve të miratuara janë edhe katër të tjera në pritje, për të marrë dritën jeshile, diçka procedurale.

Gjendur përballë këtyre të dhënave, lind pyetja se sa efektive ka qenë puna e Kuvendit të Shqipërisë? “Pozitiv se është bërë me 140 deputetë. S’ka nivel të lartë, debati udhëhiqet nga agjendat e ditës”, thotë për A2 CNN, Afrim Krasniqi.

Statistikat nuk janë pozitive as sa i takon përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian ku vetëm tre akte kanë pasur këtë qëllim, ndërsa 18 të tjerë kanë qenë për probleme shqiptare. "Ka humbur interesi për integrimin, Kuvendi ka ligj të vjetër për rolin në procesin e integrimit”, thotë Krasniqi.

Mesa duket, hallet që kanë zënë Partinë Demokratike nuk i kanë vështirësuar qeverisjen Edi Ramës, i cili vijon të ketë të njëjtin komoditet si një vit më parë, ku edhe numrat e kartonëve në Parlament po i shtohen seancë pas seance. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos