Kuvendi i demokratëve: Nga analiza e 25 prillit te strategjia politike për të ardhmen

Nga A2 CNN
16 Korrik 2021, 16:19 | Politikë
Kuvendi i demokratëve: Nga analiza e 25 prillit te strategjia politike

17 korriku shënon mbledhjen e strukturës më të lartë vendimmarrëse të Partisë Demokratike, atë të Kuvendit Kombëtar. Hapja e kësaj mbledhjeje do të mbahet në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve. Pjesë e rendit të ditës është analiza e asaj që demokratët e quajnë masakër zgjedhore e 25 prillit dhe përcaktimi i linjave kryesore të strategjisë politike të Partisë, sa i përket muajve të ardhshëm. Pritet që fillimisht të jetë kryetari Lulzim Basha ai që do të mbajë mesazhin e tij me anëtarët e Kuvendit e tij.

Më pas, do të jenë 19 drejtuesit politikë të PD-së që në fokusin e tyre do të kenë informimin dhe analizën për zonat që kishin në ngarkim gjatë zgjedhjeve të kaluara. Pika e dytë e diskutimit do të jetë vlerësimi i mundësisë për ndryshimet statutore dhe miratimi i tyre, nga të cilat komisioni i përhershëm statutor pranoi vetëm ato të Lulzim Bashës. 

Pavarësisht se Kryesia e PD-së nuk pranoi propozimet e kritikëve të kryetarit, Edit Harxhit dhe Fatbardh Kadillit, ata shpresojnë se Kuvendi i Demokratëve do të marrë në shqyrtim idetë e tyre për rimëkëmbjen e partisë.

Votimi për kandidatët e Këshillit Kombëtar do të nisë në orën 12:00 dhe do të mbyllet në orën 16:00. Numërimi i votave do të nisë në orën 18:00 në selinë blu dhe rezultati pritet që të dalë të nesërmen. Në rendin e ditës së Kuvendit parashikohet edhe një hapësirë për diskutim të hapur, por kush dëshiron t’i drejtohet delegatëve duhet të regjistrojë emrin në fillim të mbledhjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos