
Real Madrid vijon ecurinë pozitive. Skuadra e Zidane triumfoi 3-1 në shtëpi me Athletic Bilbao, me Kroos dhe dy golëshin e Karim Benzema. Një sukses i rëndësishëm për madrilenët, që ngjiten përkohësisht në krye të klasifikimit të La Liga-s, me pikë të barabarta me Real Sociedad dhe Atletico Madrid.
Premier League, Man. City frenohet nga West Bromëich, Chelsea thyhet në shtesë
Java e 12-të e Premier League rezervoi rezultate surprizë. Chelsea u thye 2-1 nga Wolverhampton. Disfata e dytë me radhë për blutë u vendos nga goli i talentit Pedro Neto në minutën e 95-të. Manchester City nuk arriti të përfitonte nga humbja e rivalëve, me ekipin e Guardiola-s që u frenua në barazim 1-1 në shtëpi nga West Bromwich, skuadra e vendit të parafundit në renditje.
Serie A, Benevento-Lazio1-1, derbi i vëllezërve Inzaghi mbyllet në barazim
Derbi ndërmjet vëllezërve Inzaghi, të dy trajnerë në Serie A, përfundoi në barazim 1-1. Benevento i rrëmbeu Lazio-s një pikë jetike në garën për mbijetesë, me kryeqytetasit që vijojnë të humbasin terren nga kreu. Sfida tjetër ndërmjet Udinese dhe Crotone përfundoi në barazim pa gola.
Bundesliga, Dortmund ringrihet me fitoren 2-1 ndaj Werder Bremen
Java e 12-të e Bundesliga-s nisi me rikthimin e Borussia Dortmund, pas pesë golave të pësuar me Stuttgart-in. Verdhezinjtë fituan 2-1 me Werder Bremen, me golat e Guerreiro dhe Reus. Në takimet e tjera, u regjistrua barazimi spektakolar 3-3 ndërmjet Eintracht Frankfurt dhe Borussia Munchengladbach. (A2 Televizion)