“Laboratori i kujtesës” është hapësira më e re e përballjes me të shkuarën komuniste. Fakte, histori njerëzore, rrëfyer përmes imazheve, muzikës dhe instalacionit na ftojnë në një debat të hapur publik.
Që nga emrat e intelektualëve të pushkatuar e deri te lista e torturave të përdorura në burgjet e Shqipërisë komuniste, kjo hapësirë e re në kryeqytet do të na rrëfejë shumë, do të na kërkojë shumë, madje pyetje dhe përgjigje e reflektim për të shkuarën që ende qëndron në terrin e të fshehtave.
“Nuk është didaktika brenda Parlamentit qasja jonë ndaj të kaluarës. Ne duhet ta memorializojmë, ta fusim në kurrikula, të cilat formojnë qytetarin me vetëdijen”, thotë Migen Qirazhi, ideator i laboratorit.

E kanë titulluar laboratori kujtesës sepse kjo është menduar si një hapësirë dialogu mbi të shkuarën, një lloj laboratori ku punohet me të vërtetat.
E çelur për 5 ditë nga qëndresa qytetare, kjo punë 5-vjeçare synon të ndërgjegjësojnë përmes tri ambienteve të ndryshme të ekspozimit fakte historike, po aq sa edhe histori njerëzore nga Shqipëria komuniste.
“Laboratori i kujtesës” ju pret deri më 28 tetor për të reflektuar dhe për të çmuar vlerën e lirisë. (A2 Televizion)