Hetimet e bujshme në harresë, kryeprokurori flet për ndërtimet pa leje dhe grabitjen e pronave

Nga A2 CNN
25 Tetor 2022, 12:11 | Aktualitet
Hetimet e bujshme në harresë, kryeprokurori flet për

Kryeprokurori i përgjithshëm, Olsian Çelaj, foli me shqetësim për fatin e hetimeve për ndërtimet pa leje apo grabitjet e pronave, kryesisht në bregdet. Sipas tij, duhet të marrë fund që hetimet që nisin me bujë të mbulohen nga pluhuri i harresës.

“Prokuroria duhet të tregojë se është një institucion serioz dhe i aftë, që i shërben mbrojtjes së interesit publik, përmes hetimeve që duhet të përfshijnë si autorët, ashtu edhe të gjithë personat që kanë pasur për detyrë kontrollin e territorit e që me veprime apo mosveprime kanë lejuar ngritjen e këtyre ndërtimeve. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ka një mosbesim të thellë e të përhapur ndaj punës sonë. Është e pafalshme që mosfunksionimi si duhet i sistemit të drejtësisë t’u përcjellë qytetarëve ndjenjën e pafuqisë dhe dorëzimit përballë të keqes, teksa ata shohin se si disa individë ia dalin të sfidojnë haptazi institucionet dhe ligjet e vendit”.

Sot prokurorët kanë të gjithë mbrojtjen ligjore për të dhënë drejtësi dhe për t'i bërë të dobëtin e të fortin të barabartë para ligjit, theksoi Prokurori i Përgjithshëm.

“Tashmë prokurorët janë realisht të pavarur dhe këto nuk janë fjalë boshe. Sot ju jeni të mbrojtur nga ligji, ka një sërë institucionesh që garantojnë palëvizshmërinë tuaj në detyrë dhe jeni po aq mirë të trajtuar financiarisht, një element tjetër ky që forcon pavarësinë. Askush nuk mund të influencojë vendimet tuaja. Ruajeni fort pavarësinë funksionale, por ju kërkoj që po kaq fort t’i përkushtoheni përmbushjes së misionit që keni marrë përsipër, me integritet moral e profesional”. 

Sipas tij, duhet të marrë fund që hetimet që nisin me bujë të mbulohen nga pluhuri i harresës.

“Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorët. Nuk mund të vazhdohet më me hetime të bujshme që i mbulon pluhuri i harresës. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdo qofshin ata, dhe rezultatet duhet t’i bëhen të ditura publikut”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos