Tani quajeni Sir David Beckham! Ish-ylli i futbollit shpallet “Kalorës” nga Mbreti Charles III

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 12:11 | Futboll

Tani quajeni Sir David Beckham! Ish-ylli i futbollit shpallet

David Beckham është shpallur zyrtarisht “Kalorës” nga Mbreti Charles III gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Kështjellën Windsor, një moment që ish-kapiteni i kombëtares angleze e cilësoi si atë që e ka bërë më krenari në jetën e tij.

Beckham mori titullin e lartë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport dhe bamirësi. Në të njëjtën ceremoni u nderuan edhe shkrimtari me famë botërore Kazuo Ishiguro dhe artistja e njohur Elaine Paige, shkruan A2 CNN. Futbollisti legjendar ishte përfshirë më herët këtë vit në listën e Nderimeve të Ditëlindjes së Mbretit.

“Kam qenë me shumë fat në karrierën time, por të marrësh një titull si ky është diçka përtej çdo pritshmërie”, u shpreh Beckham pas ceremonisë, duke kujtuar rrugëtimin e tij nga Leytonstone në Londrën Lindore, deri tek nderimi nga monarku britanik.

Në ceremoni, Beckham shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Victoria, e cila kishte dizajnuar kostumin që ai veshi. Ai zbuloi se kishte marrë frymëzim nga stili i vjetër i Mbretit Charles, ndërsa monarku u shpreh i “impresionuar” nga paraqitja e tij.

Ky titull vjen më shumë se 20 vjet pasi Beckham u nderua me titullin “Order of the British Empire” nga Mbretëresha Elizabeth II. Ish-ylli i Manchester United dhe Real Madrid, me 115 ndeshje për Anglinë dhe kampionate të fituara në katër shtete të ndryshme, prej vitesh angazhohet edhe në bamirësi si ambasador i UNICEF-it. Në vitin 2015 ai krijoi fondin “7”, për të mbështetur fëmijët në rrezik.

Beckham vazhdon të jetë aktiv edhe në botën e futbollit përmes klubit Inter Miami, të cilin e themeloi pasi mori licencën e MLS në vitin 2018. Marrëdhënia e tij me Mbretin Charles është përforcuar kohët e fundit, madje vitin e kaluar ata shkëmbyen edhe “këshilla për bletari” gjatë një takimi në Cotswolds, kur Beckham u bë ambasador i The King’s Foundation. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos