Lajçak: Shkëmbimi i territoreve do të ishte shumë i rrezikshëm

Nga A2 CNN
27 Janar 2021, 22:16 | Kosova
Lajçak: Shkëmbimi i territoreve do të ishte shumë i

I dërguari i BE-së për dialogun tha se BE-ja kishte bashkëpunuar më parë me Sekretarin e ri të Shtetit në SHBA, Anthony Blinken dhe nënsekretaren për Çështjet Politike, Victoria Nuland.

"Uniteti amerikano-evropian është një faktor kryesor për suksesin në Ballkan", ka thënë Lajçak.

I pyetur për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, Lajçak u përgjigj se vendet e rajonit ishin kundër sepse kanë frikë se ngjarjet mund të dalin jashtë çdo kontrolli.

Përveç kësaj, Bashkimi Evropian, sipas tij, ka investuar shumë në politikën e "evropianizimit dhe përfshirjes së Ballkanit në familjen evropiane, që do të thotë ndërtimin e shoqërive demokratike multietnike" dhe "ridizajnimi i kufijve është në kundërshtim me atë ideal dhe do të nënkuptojë se ne kemi dështuar".

I pyetur se si e shikon rritjen e ndikimit të Kinës në Ballkan, ai tha se BE është partneri më i madh tregtar, investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe ofron ndihmën më të madhe atje. “Ajo (Kina) nuk mund të ofrojë më shumë se ne", tha Lajçak.

Dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 dhe takimi i fundit mes krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos