Ai që u konsiderua nga specialistët e futbollit si “Lampard i ri” është larguar nga Chelsea pasi ka luajtur vetëm 4 ndeshje në 8 vitet që ishte në pronësi të “Bluve” të Londrës.
Dëmtimet nuk e kanë lënë të qetë mesfushorin holandez Marco van Ginkel, i cili ka grumbulluar vetëm 97 minuta në total.
Kur u ble nga Vitesse në vitin 2013 për 10 milionë euro, në Angli u krahasua me legjendën Frank Lampard, por kurrë nuk i arriti pritshmëritë, edhe pse atë sezon kishte fituar çmimin e lojtarit të ri më të mirë në Holandë, çmim që e kanë fituar emra si Frenkie de Jong, Matthijs de Ligt, Memphis Depay, Christian Eriksen, Wesley Sneijder apo Arjen Robben.

Që në ndeshjen e tij të parë, ku luajti në mesfushë bashkë me Lampard, Van Ginkel dëmtoi ligamentin e kryqëzuar të gjurit.

Në vitin 2014 u huazua te Milani, por problemet në kavilje kësaj radhe nuk e lejuan që të shkëlqente. Ashtu siç nuk shkëlqeu as te Stoke City.

Në moshën 23-vjeçare, PSV Eindhoven i dha një mundësi për të rilindur. Van Ginkel e shfrytëzoi mundësinë, madje duke u kthyer edhe në kombëtaren holandeze. Chelsea i rinovoi kontratën, duke e lënë në huazim te PSV, atje ku shënoi 16 gola dhe dha 5 asist (2017-2018).

Por, nga 9 maji 2018 pësoi një seri dëmtimesh që e lanë jashtë fushave të futbollit për 32 muaj. Në janarin e këtij viti u kthye të luajë me PSV (12 ndeshje këtë sezon) dhe të ndihet sërish futbollist, edhe pse larg “Stamford Bridge”. (A2 Televizion)
