
Presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti forcë të natyrës, ish-sekretarin amerikan të shtetit, Madeleine Albright, në shërbesën përkujtimore në nder të gruas së parë që mbajti postin e diplomates më të lartë në SHBA.
Albright e cila ishte sekretare e shtetit nga 1997 deri në 2001-shin, vdiq muajin e kaluar si pasojë e kancerit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e vlerësoi Albright për hijeshinë, humanizmin dhe intelektin dhe tha se ajo kishte ndryshuar kursin e historisë.
"Në shekullin 20 dhe 21, liria nuk kishte kampione më të madhe se Madeleine Korbel Albright. Sot ne nderojmë një amerikane vërtetë krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë. Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Europën Qendrore dhe Lindore”, e kujtoi presidenti amerikan.
Nuk mund të mungonin homazhet nga Bill dhe Hillary Clinton. Albright shërbeu si ambasadore amerikane në OKB nga 1993 në 1997, gjatë mandatit të parë 4-vjeçar të Clinton dhe ishte një mbështesë aktive e Hillary-t, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.
"Këtë do të donte ajo që të thosha sot: Unë pata një jetë të mirë. Isha e lumtur. Isha shumë e bekuar në familjen time, në punën dhe me miqtë e mi. Por liria dhe demokracia dhe shteti i së drejtës nuk janë të garantuara përgjithmonë vetëm sepse ne kemi mbijetuar 200 vjet më shumë. Mendoni për botën që dëshironi për nipërit tuaj dhe punoni për të”, deklaroi ish-presidenti Clinton.
“Ajo jo vetëm që i ndihmojë gratë e tjera, por e kaloi të gjithë jetën duke këshilluar dhe frymëzuar shumë prej nesh që jemi këtu sot. Engjëjt të mbathin këpucët e kërcënimit, pasi nëse Madeleine besonte se kishte një vend në ferr për gratë që nuk mbështesin gratë e tjera, ata nuk e kanë takuar ende dikë si ajo”, tha bashkëshortja e tij, Hillary Clinton.
Shërbimi përkujtimor për Albright u mbajt në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Më shumë se 1400 persona morën pjesë, përfshirë presidenti Barak Obama me bashkëshorten Mishel dhe ish- zëvendëspresidentin Al Gore.
Të ftuar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët thanë se i kishin dhënë lamtumirën mikes së madhe dhe zërit të popullit të Kosovës. Familjarët kërkuan që të pranishmit të mbanin maska brenda katedrales pas rritjes dramatike të rasteve me koronavirus javët e fundit. (A2 Televizion)