Largimi i Hysit nga PS, Bushati: Do ta risjellim. Mendojmë për të dy stolat, ekzekutivin dhe legjislativin

Nga A2 CNN
4 Mars 2021, 14:08 | Politikë
Largimi i Hysit nga PS, Bushati: Do ta risjellim. Mendojmë për të

Largimi i nënkryetares së Parlamentit, Vasilika Hysi, nga Partia Socialiste, është bërë për efekt të harmonizimit të legjislativit dhe ekzekutivit. Kështu u shpreh drejtuesi i Degës së PS-së për Tiranën, Ervin Bushati, i cili vlerësoi figurën e Hysit dhe tha se PS-ja do ta risjellë atë. I ftuar në Ditari në A2, ai deklaroi se PS-ja po luan në një stol më të gjerë se opozita dhe, sipas tij, do të jetë forcë e parë politike pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Hysi është një nga figurat kryesore të reformës në drejtësi që ka qenë kryereforma e qeverisë Rama. Është bërë një punë shumë e madhe. Hysi për 3 mandate ka qenë figura kryesore e PS-së. Do të  jetë kontribuuese e PS-së. Është figurë akademike dhe do të ketë harmonizimin që PS do ta risjellë. Ne do të jemi forcë e parë politike, do kemi mazhorancën dhe do të harmonizojmë legjislativin dhe ekzekutivin. Po luajmë në një stol më të gjerë se opozita që me tramvajin e vet ka futur vetëm 8 figura. Është hera e parë që Basha bën llogaritë mirë, e di që do të marrë vetëm 8 deputetë”.

Të njëjtin shpjegim dha Bushati edhe kur u pyet për mungesën e Fatmir Xhafajt.

“Nuk mund të flas për kolegët me më shumë kontribute se unë. Janë pjesë e PS-së, janë në fushatë dhe mos harrojmë që jo të gjithë mund të jenë aty. Ne jemi të gjithë në një tavolinë”

I pyetur për imazhet që po i përcjell publikut, nisur edhe nga prezantimi i kandidates Najada Çomo, ai tha se PS-ja rinovohet 50 me 50. Dhe kjo, sipas tij, bëhet për efekt të legjislativit dhe ekzekutivit.

“Në Tiranë ka 54% të elektoratit. Ne kemi një ekip shumë të gjerë dhe kemi një stol të parë dhe të dytë, dhe ekzekutiv e legjislativ. Ka një rinovim të legjislativit. PS-ja e ka 50 me 50 rinovimin”.

Bushati theksoi se do të ishte precedent i gabuar, nëse rrotacioni vjen për shkak të mbajtjes së radhës dhe jo të punës.

“Politika është një garë në realitet dhe nuk mund të krahasohemi me Spanjën dhe Francën, unë jam i qartë se qytetarët kanë një vendimmarrje të rëndësishme këtë herë. Ka ikur koha e Enverit kur lije qumështin në radhe dhe pret 8 vjet të gdhihesh kryeministër. Do ishte precedent i gabuar që një kryeministër të zgjidhej se mban radhën, i binte që të mos punonte, se puna është më pak e rëndësishme se rrotacioni. Rrotacioni nuk vlen kështu. Zgjidhet ai që ka punuar dhe jo ai që ka mbajtur radhën.”

Ai theksoi se PS-ja ka mbajtur premtimet sa i takon edhe rritjes ekonomike dhe tha se qytetarët dinë të bëjnë dallimin mes Gërdecit, sipas tij, të shkaktuar nga Berisha dhe tërmetit nga natyra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos