
Pedagogu Endrit Shabani komentoi në Absolut 4 me Blendi Salajn dhe një nga problematikat më të dhimbshme për vendin tonë në vitet e fundit atë të largimit të të rinjve dhe elitave.
Për Shabanin, shqiptarët nuk largohen për një rrogë, por sepse ata ndihen të pasigurt, të pafuqishëm dhe të shkëputur nga komuniteti.
“Nuk kam asgjë kundër lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të atyre që duan të vijnë në Shqipëri. Nuk ka njerëz që vijnë në Shqipëri dhe duan të integrohen. Një pjesë e këtyre njerëzve o janë tranzit, o i trajtojnë si skllevër në shtëpitë e tyre. Edhe kur kjo gjë ndodh me studentët. Ne nuk marrim studentët më të mirë. Ne na ikin studentët më të mirë, mjekët, inxhinierët dhe ata që vijnë këtu nuk e kanë Shqipërinë zgjedhjen e parë. Kjo është një betejë e humbur, nuk zgjidhet kështu. Duhen parë arsyet përse shqiptarët ikin. Unë refuzoj të besoj që shqiptarët largohen për një rrogë. Ata që ikin në numra nuk janë ata që nuk kanë para. Një pjesë e atyre që ikin e kanë një punë e kanë një rrogë. Problemi është shteti i drejtë. Shkon në spital, ndihet i pasigurt. Shkon në shkollë, nuk është i kënaqur. Nuk i pyet njeri për vendimet lokale. Qytetari ndihet i shkëputur nga komuniteti. Është i pafuqishëm, në një shoqëri të padrejtë”, tha Shabani. (A2 Televizion)