Largimi i “trurit”, janë pagat, arsimi dhe shëndetësia arsyet e emigrimit të shqiptarëve

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 16:56 | Aktualitet

Rreth 31 vite më parë, nga trageti “Vlora” nisi emigrimi i parë masiv  i shqiptarëve, për të mos u ndalur më.

Tre dekada më pas, edhe pse me një sistem demokratik, dëshira e shqiptarëve mbetet po e njëjta. Ndryshimi, krahasuar me vitet 90’ deri në 2000-in, është se sot kërkesën më të lartë për t’u larguar, veç studentëve, e ka edhe shtresa e mesme.

Arsimimi, shëndetësia, siguria për të nesërmen, duke mos përjashtuar për asnjë moment të ardhurat nga punësimi,  janë arsyet kryesore të shpopullimit të Shqipërisë.

 “Më mirë të bie të punosh në Mal të Zi, që është më i vogël se ne... Këtu me pagën që merr nuk paguan dot qiranë... Arsimi shëndetësia janë kryesoret që duhet të funksionojnë në një shtet. Jam duke ikur në Gjermani, jam infermiere, çdo gjë është keq”, thonë disa të intervistuar.  

Këto arsye i konfirmojë edhe statistikat, të cilat tregojnë se nga vendi nuk po ikin vetëm të papunët dhe të paarsimuarit.

“Dekadën e fundit ikën 40% studentë, 30% me të mesme të kualifikuar. Nuk ikin në vendet fqinje por në Gjermani e vendet e Perëndimit”, thotë Ilir Gëdeshi, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale.  

Ilir Gëdeshi

Vetëm në Gjermani janë mbi 50 mijë shqiptarë, numër i cili pritet të rritet nga kërkesa e këtij shteti për fuqi punëtore të kualifikuar. Realitetit i shtohet dhe një tjetër fakt, asnjë nga të larguarit nuk sheh si opsion rikthimin në atdhe.

“Kthimi është ende tendencë e zbehtë. Janë kthyer vetëm ata që janë përballur me kriza globale apo azilantët, pra një kthim i sforcuar. por kërkesa e këtyre që janë kthyer është më e lartë për të ikur sërish sesa e atyre që nuk kanë emigruar më parë“, vijon Gëdeshi.

Shqipëria ka numrin më të lartë të të rinjve të larguar nga vendi në krahasim me shtetet e rajonit. Janë 18 mijë studentë që kanë emigruar, 93% e të cilëve shprehin se nuk do të kthehen më në atdhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos