
Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur një tjetër deklaratë të fortë, duke pretenduar se Rusia dhe Kina po zhvillojnë teste të fshehta nëntokësore të armëve bërthamore. Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” me gazetaren Norah O’Donnell, Trump deklaroi se të dy vendet po kryejnë prova të cilat, sipas tij, nuk raportohen nga mediat e tyre dhe mbeten të padokumentuara nga komuniteti ndërkombëtar.
Gjatë intervistës, O’Donnell u shpreh se kishte informacion se Rusia kishte testuar vetëm sistemet e shpërndarjes së raketave dhe jo vetë kokat bërthamore. Por Trump këmbënguli: “Rusia po teston dhe Kina po teston, por ata nuk flasin për këtë. Ata bëjnë prova thellë nën tokë. Ndihet një dridhje e lehtë, por nuk merret vesh saktësisht çfarë po ndodh”.
Deklaratat e tij vijnë disa ditë pasi Vladimir Putin njoftoi se Rusia ka testuar një torpedo bërthamore të fuqizuar me energji atomike dhe një raketë të re lundrimi, gjithashtu të fuqizuar me energji bërthamore, shkruan A2 CNN. Paralelisht, Trump la të kuptohej më herët se Shtetet e Bashkuara mund të rikthehen në testimet bërthamore, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi politikën e sigurisë globale dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare.
Kjo ka shkaktuar konfuzion të madh në Uashington, pasi SHBA nuk ka kryer një shpërthim bërthamor që nga viti 1992 dhe është pjesë e Traktatit të Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBT) që prej vitit 1996. I pyetur nëse planifikon një shpërthim të tillë, presidenti u përgjigj: “Ne do të testojmë armët tona bërthamore ashtu siç bëjnë vendet e tjera”.
Ndërkohë, Kina mohoi ashpër pretendimet e Trump. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, deklaroi se Kina ka respektuar gjithmonë strategjinë e mbrojtjes dhe ka ndaluar testimet bërthamore që prej vitit 1996. Ajo gjithashtu i bëri thirrje SHBA-së të ruajë ekuilibrin strategjik global dhe të mos përshkallëzojë tensionet.
Edhe brenda administratës amerikane pati përpjekje për të zbutur situatën. Sekretari i Energjisë, Chris Wright, deklaroi në Fox News se testet e përfolura nga presidenti nuk përfshijnë shpërthime bërthamore, por vetëm prova të sistemeve të armëve, pra “shpërthime jo-kritike” që nuk aktivizojnë reaksion zinxhir bërthamor. (A2 Televizion)
