Shtegu për në Perëndim, refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika vijojnë të dynden drejt Shqipërisë

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 15:57 | Aktualitet

Shqipëria po vijon të konsiderohet vend transit për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Të dhënat nga Ministria e Brendshme, tregojnë se në 10 muajt e parë të vitit u kapën më shumë se 14 mijë refugjatë të parregullt, nivel ky 14 herë më i lartë se totali i vitit 2017, duke qëndruar në shifra të ngjashme me 2020-n.

Sipas të dhënave, rreth 65 për qind e tyre kapen në pikat kufitare të vendit, ndërsa pjesa tjetër pasi kanë depërtuar në territor.

Emigrantët, kryesisht nga Siria, Maroku, Algjeria dhe të tjera shtete të varfra ekonomikisht apo në konflikte, hyjnë në vend përmes pikave kufitare me Greqinë. Më pas, përpiqen që nëpërmjet veriut të vendit t’i drejtohen “Rrugës Ballkanike” për t’u stacionuar në “Perëndim”.

“Për vitin 2021 vihet re rritje e konsiderueshme e numrit të shtetasve të huaj që kalojnë në Shqipëri. Në përgjithësi të gjitha vendet janë prekur nga këto prurje migratore. Këto prurje vlerësohen të jenë më të lartat që prej vitit 2015”, tha Armela Xhaho, studiuese e migracionit.

Me qëllim trajtimin e tyre sipas konventave ndërkombëtare, qeveria miratoi në muajt e parë të vitit, ligjin e ri për azilin, i cili ofronte lehtësi në procedura dhe kohë. Mirëpo, kërkesat për azil, të referuara në institucione, vijojnë të jenë të pakta, kurse aprovimet janë gati sporadike.

“Shifrat janë të ulëta, sepse pjesa më e madhe kanë synim vendet e Bashkimit Europian. Pra, largohen pa i nisur procedurat për azil”, shpjegon Xhaho.

Edhe pse disa prej emigrantëve e bëjnë vetë rrugën, studiues të flukseve migratore theksojnë që shumica paguajnë trafikantë dhe sekserë lokalë për të kaluar kufijtë e shumtë të Ballkanit. Një trend në rritje është edhe përfshirja në këtë biznes të paligjshëm e trafikantëve nga vendet e origjinës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos