
Më 9 nëntor, Prishtina do të shkojë në balotazh ndërmjet Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (Vetëvendosje), pas një gare të ngushtë në rundin e parë, ku të dy morën mbi 33% të votave.
Të dy kandidatët premtojnë zgjidhje për problemet e përditshme të prishtinasve, si trafiku i ngarkuar dhe mbeturinat, por disa qytetarë janë skeptikë pas premtimeve të parealizuara më herët.
Analistët vlerësojnë se programet e tyre janë të ngjashme në përmbajtje, por dallojnë në qasje - Rama mbështetet më shumë në sektorin privat, ndërsa Çeku në atë publik.
Vëmendja e gjithë Kosovës do të jetë kryesisht te Prishtina më 9 nëntor.
Kryeqyteti do të shkojë në balotazh për të zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa qytetarët presin që kandidatët - Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje - t’u japin fund problemeve që prej vitesh e ngarkojnë jetën e përditshme: trafik i ngarkuar, mungesë parkingu, menaxhim i dobët i mbeturinave dhe hapësira publike që po pakësohen.
Të dy kandidatët premtojnë zgjidhje dhe krijimin e kushteve më të mira, por sfida për ta është e madhe: si do t’i bindin votuesit që premtimet e tyre nuk do të mbeten thjesht fjalë?
Radio Evropa e Lirë provoi të bisedonte me të dy, por pa sukses.
Në anketën e zhvilluar me qytetarët, ata thonë se kanë ndjekur me kujdes premtimet dhe zotimet e kandidatëve.
“Vota ime ka për të shkuar për kandidatin që do ta zgjidhë kaosin në trafik, do të kujdeset për hapësirat e gjelbra dhe parkingjet”, thotë Albert Krasniqi.
Ngjashëm mendon edhe Vjollca Misini, e cila trafikun e ngarkuar dhe rrugët e dëmtuara i sheh si një nga sfidat kryesore të kryeqytetit.
“Do të votoj atë që ka dhënë premtime më bindëse, që të kemi pak më shumë rehati si qytetarë”, thekson ajo.
Arsim Sejdiu thotë se menaxhimi i mbeturinave dhe procesi i legalizimit të ndërtimeve janë çështje që ngecin prej vitesh.
“Prej kandidatëve në balotazh, njëri ka premtuar që do të zgjidhë kaosin me mbeturinat dhe legalizimin e ndërtimeve. Do t’i jap votën atij që besoj se do t’i zgjidhë këto çështje”, thotë ai.
Por, jo të gjithë qytetarët janë të bindur nga premtimet. Burimi Perani thotë se ato janë të mira, por se përvojat e mëparshme e bëjnë skeptik.
“Kanë premtime të mira, por çdo herë ka pasur të tilla. Premtime boshe, në shumicën e rasteve. Mbase anoj… Ndoshta më pëlqen programi i partisë në tërësi dhe kjo do të më shtyjë ta votoj kandidatin që e mendoj”, thotë ai.
Çfarë zgjidhjesh premtojnë Rama e Çeku?
Çështjet si trafiku i rënduar, mungesa e parkingjeve dhe menaxhimi i dobët i mbeturinave kanë dominuar debatin që nga fillimi i fushatës për rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.
Kandidati i LDK-së, Përparim Rama, i cili synon mandatin e dytë, ka premtuar se do ta lehtësojë qarkullimin në kryeqytet përmes lidhjeve të reja ndërmjet lagjeve, si ajo mes Kalabrisë dhe Dardanisë, dhe ndërtimit të rrugëve nëntokësore.
Por, një raport i Institutit GAP kujton se të njëjtat premtime ai i ka bërë edhe në vitin 2021 - për parkingje të mëdha, autobusë elektrikë dhe një fabrikë riciklimi - dhe ato nuk janë realizuar.
Nga ana tjetër, kandidati i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, kërkon t’i japë fund këtij cikli me një “model gjerman” për menaxhimin e mbeturinave, që do të fuqizonte ndërmarrjen publike dhe do të hapte mundësi për përfshirjen e bizneseve private.
Ai premton, gjithashtu, rritje të flotës së autobusëve urbanë dhe ndërtim të parkingjeve të mëdha në hyrje të qytetit, me synimin që transporti publik të bëhet zgjedhja e parë për prishtinasit.
“Rama menaxher, Çeku reformues”
Politologu Albinot Maloku thotë se të dy kandidatët i kanë identifikuar të njëjtat probleme, por ndryshojnë në stil dhe në konceptin e qeverisjes që propozojnë.
“Rama përpiqet të duket më pragmatist dhe më menaxherial. Kurse Çeku provon të duket më reformues. Rama flet për një periudhë dinamike katërvjeçare, kurse Çeku për një pasqyrim 10-vjeçar deri te ndryshimi”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë.
Si garanci për realizimin e projekteve, ai shton se Rama ofron përvojën, ndërsa Çeku mbështetet te premtimi për qeverisje bashkë me qytetarët.
Megjithatë, Maloku vlerëson se disa premtime të të dy kandidatëve shkojnë përtej kompetencave komunale dhe varen nga mbështetja e nivelit qendror.
“Rama ka disa premtime ambicioze që tejkalojnë kompetencën komunale, si ‘fshati olimpik’ apo projekti i tramvajit. Çeku ka premtime më sistemike e të menaxhueshme ligjërisht, por që kërkojnë vazhdimësi politike të mbështetjes nga ana e nivelit qendror”, shpjegon Maloku.
Sipas tij, problemet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Prishtinës, si trafiku, parkingjet e mbeturinat, mbeten “katrahura urbane” që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, pavarësisht se kush fiton.
Me këtë analizë pajtohet edhe analisti Ylli Hoxha, i cili thotë se programet e dy kandidatëve janë pothuajse të njëjta, sepse problemet e mëdha të Prishtinës janë tashmë të definuara në koncept-dokumentet për zhvillimin e kryeqytetit.
“Projektet si ‘Unaza e jashtme’ dhe ‘Unaza e brendshme’, që synojnë të shkarkojnë trafikun, janë ide të vjetra, të mbështetura nga të dyja partitë që sot përfaqësojnë kandidatët - LDK dhe Vetëvendosje”, thotë Hoxha.
“Prandaj, edhe zgjidhjet që propozojnë Rama e Çeku, janë të përafërta”, shton ai.
Sipas tij, dallimi qëndron në qasjen e secilit kandidat: Çeku mbështetet kryesisht te sektori publik, ndërsa Rama nuk e përjashton as partneritetin me sektorin privat.
Ai thotë se e njëjta logjikë shihet edhe te çështjet si menaxhimi i mbeturinave apo ngrohja qendrore.
Diferenca është vetëm në dinamikën dhe mënyrën se si synojnë t’i realizojnë premtimet, sipas Hoxhës.
Sipas të dy analistëve, programet e Ramës dhe Çekut mbartin edhe ngjyrime ideologjike.
Programi i Çekut, thonë ata, ka frymë më të majtë - me theks te barazia e qytetarëve dhe sektori publik - ndërsa ai i Ramës ka nuanca më të djathta, me mbështetje për partneritetin publik-privat dhe përfshirjen e sektorit privat në zhvillimin e qytetit.
Puna në disa projekte është bllokuar në mandatin aktual të Ramës, i cili e ka fajësuar Qeverinë qendrore për ngecjet.
Puna në disa projekte është bllokuar në mandatin aktual të Ramës, i cili e ka fajësuar Qeverinë qendrore për ngecjet.
Kokë më kokë në balotazh
Dy kandidatët kryesorë për kryetar të Prishtinës, Rama dhe Çeku, dolën pothuajse barabar nga rundi i parë i zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rama mori 33.79% të votave, ndërsa Çeku 33.01%, duke e çuar garën në një balotazh të ngushtë.
Në total, 18 nga 38 komunat e Kosovës do të zhvillojnë rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë, më 9 nëntor.
Fushata për balotazh nis zyrtarisht sot dhe do të zgjasë deri në ditën e zgjedhjeve, megjithëse kandidatët dhe partitë kanë qenë aktivë në terren edhe gjatë periudhës së ndërmjetme.
Në Prishtinë, ku çdo votë mund të bëjë diferencën, gara pritet të jetë e ashpër dhe vendimtare - jo vetëm për fatin e kryeqytetit, por edhe për balancat politike në nivel vendi, sipas analistëve./ REL (A2 Televizion)
