
Ky është imazhi i parë i atij çka deri më tani e kemi imagjinuar si muzeun hebraik në Vlorë. Projekti fitues është përzgjedhur dhe studio e arkitekturës që ka fituar këtë konkurs është një studio izraelite.
Mendjet krijuese të arkitektëve na prezantuan katër projekte tërësisht të ndryshme për një muze të tillë. Ishin projekte që kishin të bënin për të njëjtin temë, vendosur në Vlorë. Propozimet ishin fantastike, por ne vendosëm që të diskutonim për përshtatjen e ndërtesës me hapësirën rrethuese, me ndërtesat që do ta rrethojnë atë, me sheshin në të cilën do ndërtohet në Vlorë. Dhe ky është projekti fitues, pas shumë e shumë bisedimeve dhe një kohë të gjatë për të vendosur si juri. Sigurisht që si ndërtesë ka karakterin e një muzeu, e një institucioni publik që ka aftësinë për të komunikuar si një hapësirë e hapur për të gjithë ata që duan ta vizitojnë.
Muzeu hebraik do të ndërtohet në qendrën historike të qytetit të Vlorës dhe do të ndërtohet me synim që të rrëfejë historinë e rrallë të hebrenjve në Shqipëri dhe veçanërisht gjatë Holokaustit, një kapitull unik, ku hebrenjtë u mikpritën në vendin tonë. (A2 Televizion)