LDK shkarkon Vjosa Osmanin

Nga A2 CNN
21 Qershor 2020, 09:04 | Kosova
LDK shkarkon Vjosa Osmanin

Disa qëndrime kohët e fundit të mbajtura kundër partisë dhe kundërshtimi i koalicionit të ri qeveritar ka bërë që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës të shkarkojë mbrëmjën e së shtunës, Vjosa Osmanin nga posti i nënkryetares së kësaj partie dhe në të njëjtën kohë si drejtuese e parlamentit.

Shkarkimi i Vjosa Osmanit u propozua nga kryetari i LDK, Isa Mustafa dhe në vend të saj u zgjodh Avdullah Hoti. Votimi u bë me anë të postës elektronike.

Para votimit Isa Mustafa numëroi në një letër dërguar këshillit të përgjithshëm veprimet e Vjosa Osmani që bien ndesh me qëndrimet e partisë.

“Zonja Osmani votoi dhe bëri thirrje kundër mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Ka kundërshtuar hapur koalicionin e Lidhjes Demokratike me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Alencën Kosova e Re dhe komuniteteve jo shumicë. Nuk e ka votuar kryeministrin Avdullah Hoti ... dhe iku nga përgjegjësia për të drejtuar seancën e parlamentit në ditën kur është zgjedhur qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga Lidhja Demokratike”, shkruan Isa Mustafa.

Vjosa Osmani reagoi menjëherë pas këtij vendimi të Këshillit të Përgjithshëm të LDK duke thënë se u shkarkua vetëm se mbajti fjalën.

“Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”, shkroi Osmani në rrjetet sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos