“Le Iene” rikthehet tek Alvin, tashmë i sigurt, mes familjarëve të tij

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2019, 16:00 | Aktualitet

Alvin është tani i sigurt, mes mureve të shtëpisë së tij, aty ku ka ardhur ta takojë edhe gjyshi nga Shqipëria.

Gazetarët e emisionit investigativ “Le Iene”, të cilët ndoqën që prej fillimit historinë e tmerrshme të 11-vjeçarit shqiptar, rikthen për ta takuar.

“Le Iene” rikujton dinamikat e historisë që preku zemrat e miliona njerëzve, që nga zanafilla kur Alvin u largua bashkë me të ëmën e radikalizuar drejt Sirisë, e deri te operacioni që solli shpëtimin e tij.

Pak ditë para se të nxirrej nga ferri, në intervistën e dhëne për një operatore të kampit, 11-vjeçari dukej më i relaksuar, sikur ta dinte se dikush do të vinte për ta shpëtuar.

Si i kalon ditët?

Alvin: Nuk di çfarë të them. Jam në kamp dhe pres që të kalojë koha. Pres dhe vetëm pres.

Me kë jeton këtu?

Alvin: Me fëmijët e tjerë. Ka irakianë, sirianë, nga të gjitha vendet.

Të mungon nëna jote?

Alvin: Po.

Do të ishe i lumtur po të të kthenin në Itali?

Alvin: Po.

Ëndrra u realizua pas pak ditësh. Imazhet e para të 11-vjeçarit jashtë kampi u publikuan nga një hotel në Damask, i shoqëruar nga operatorë të kryqit të kuq.

Tashmë, ai është i lumtur, dhe më në fund ashtu si të gjithë fëmijët e moshës së tij, shijon panine, patate të skuqura dhe sallatë. Tani, para se të flejë, ndërsa lan duar dhe buzët, dhe kujdeset të mos e shpërdorojë ujin. Me siguri muajt e kaluar në kamp i kanë mësuar se uji është një e mirë e çmuar.

Gazetarët e “Le Iene” kanë edhe një dhuratë të fundit për Alvinin, që pret me padurim të shkojë në dhomën e tij: Një kapele kampionësh… (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos