Disa ditë pas vizitës së presidentit Bajram Begaj në Itali ku u prit nga homologu italian Sergio Matarella, dhe të dy së bashku pritën në një ceremoni të posaçme në Pallatin Quirinale në Romë. kryetarët e komunave arbëreshe, ka ardhur edhe reagimi i politologut Afrim Krasniqi. Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ndan foto nga ky takim dhe vlerëson solemnitetin dhe seriozitetin e përfaqësimit të kryetarëve arbëreshë, e cila sipas tij është në kontrast me mënyrën se si, paraqiten dhe funksionojnë kryetarët e bashkive në Shqipëri.
Në ceremoninë në Romë, thekson Krasniqi, bie në sy respektimi i protokollit dhe mesazhet pozitive, duke veçuar edhe faktin që presidenti italian Mattarella e nisi fjalën e tij gjatë takimit me ta me një përshëndetje në gjuhën shqipe. Përkundër kësaj, për Krasinqin, kryetarët e bashkive shqiptare rrallë shfaqen së bashku në aktivitete zyrtare dhe përfaqësojnë institucionet me seriozitetin e duhur.
Ai nënvizon se politika dhe përfaqësimi publik nuk lidhen vetëm me votat dhe fushatat, por mbi të gjitha me integritetin, përgjegjshmërinë dhe etikën institucionale.
Postimi i plotë i Afrim Krasniqit
Këta janë kryetarët e bashkive/komunave arbëreshe në Itali. Janë në ceremoni të posaçme në Pallatin Quirinale, Romë, të ftuar nga dy presidentët, ai i Italisë dhe Shqipërisë. Ide e mirë dhe mesazhet shumë pozitive (presidenti Mattarella e nisi fjalën me përshëndetje shqip).
Shikoni solemnitetin. Shikoni numrin e kryetarëve të bashkive. Shikoni seriozitetin e përfaqësimit të tyre. Dhe krahasojini me kryetarët tanë të bashkisë, ku rrallë, shumë rrallë ndonjë shfaqet me kostumin zyrtar dhe shiritin e funksionit, ku rrallë, shumë rrallë respektohet solemniteti dhe prezenca shtetërore institucionale, dhe ku rrallë, shumë rrallë mblidhen të gjithë për të dhënë një mesazh në interes publik. Kur tanët mblidhen, ose i mbledh shefi i partisë ose shihen në ndonjë restorant/ndeshje futbolli apo tur turistik jashtë. Duhen si takim "të fortësh". Shikoni foton në Romë, - nuk shoh muskuj aty, shoh mendje të hapura dhe qytetari.
Politika dhe përfaqësimi nuk janë vetëm çështje numrash, fushatash, votash të siguruara, por mbi të gjitha janë çështje integriteti, solemniteti, përgjegjshmërie dhe etike institucionale. (A2 Televizion)