
Eksperti i Ekonomisë Adrian Civici ishte i ftuar në edicionit e Ditarit në A2 për të diskutuar rreth temës së shumëdiskutuar të legalizimit të kanabisit mjekësor në Shqipëri dhe ndikimin që kjo gjë do të kishte në ekonominë e vendit.
Sipas Civicit, legalizimi i kanabisit është një proces që e kanë aplikuar 40 vende të botë dhe ka përfitime të mëdha ekonomike. Sipas tij problemi me Shqipërinë është që a mund të arrihet të realizohet ky projekt pasi do të vendosen përballë dy tregje ai shtetëror dhe ai ilegal i cili ka mbijetuar prej më shumë se 20 vitesh në vendin tonë.
“Ky është një proces që sot mbi 40 vende të botës e kanë legalizuar kanabisin për qëllime shëndetësore, por jo vetëm po edhe në industrinë ushqimore dhe atë kozmetike. Por nga ana tjetër përveç përfitimeve të shumta ekonomike sidomos në rastin tonë në Shqipëri është: A e bëjmë dot si duhet? A mund të na dalë ky proces jashtë kontrollit? Dhe a mundet që përveç pjesës të legalizuar të lulëzojë dhe pjesa informale që pastaj do të kthehej në një dëm shumë të madh. Shumë vende e kanë monopol shtetëror prodhimin e kanabisit për qëllime farmaceutike. Jemi përballë dy tregjeve, një treg informal që është kontrabanda apo dërgimi ilegalisht në vendet e BE dhe një treg normal, legal që do të jetë dorëzimi për t’u përpunuar apo eksportuar për t’u përpunuar në vende të tjera. Janë dy tregje që luftojnë në mënyrë të dukshme dhe padukshme me fitimin që ato ofrojnë. Legalizimi i kanabisit duhet bërë në një formë të tillë që ky lloj tregu të jetë dominues dhe ta mundi jo vetëm me polici e me rregulla të forta, por edhe me çmim e me eficencë tregun tjetër”, tha Civici. (A2 Televizion)