Raporti i PNUD, bie besimi i qytetarëve te qeverisja

Nga A2 CNN
12 Maj 2020, 16:51 | Aktualitet
Raporti i PNUD, bie besimi i qytetarëve te qeverisja

Qytetarët kanë humbur besimin te qeverisja përgjatë dy viteve të fundit dhe e perceptojnë transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit qendror dhe atij lokal në rënie. Gjetjet vijnë nga sondazhi “Besimi në qeverisje 2019”, kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim me mbështetjen e UNDP.

Anketa merr në analizë perceptimin e qytetarëve tek institucionet e ndryshme në vend, ku niveli i besimit është ulur midis viteve 2017-2019, pas një rritje midis viteve 2015-2017.

Një prej bashkëautoreve të vrojtimit, Blerjana Bino jep të dhëna nga edicioni i shtatë i sondazhit. “Për pjesën më të madhe të institucioneve niveli i besimi u rrit midis viteve 2015-2017, por kemi vënë re një rënie që prej vitit 2017 deri në vitin 2019. Vetëm 36.7% e shqiptarëve e perceptojnë pushtetin vendor si të përgjegjshëm dhe vetëm 32.8% deklarojnë të njëjtën gjë për qeverisjen qendrore”.

“Trazirat në sferën politike, zgjedhjet vendore vitin e kaluar ku partia më e madhe e opozitës nuk mori pjesë, e më pas tërmeti dhe vetë fakti që tashmë jemi në mandatin e dytë qeverisës së partisë ku bëj pjesë, janë arsye që mund të kushtëzojnë perceptimin e qytetarëve në përgjithësi”, u shpreh ish-zv.kryeministrja Senida Mesi.

Institucionet më të besueshme nga shqiptarët janë ato të huaja si NATO, OKB dhe Bashkimi Europian. Ndërsa në vend, perceptimin më pozitiv e kanë institucionet fetare, ndjekur nga forcat e armatosura, policia e shtetit, institucionet arsimore dhe sistemi shëndetësor.

Mungesa e besimit nga ana tjetër është më e theksuar te partitë politike, Prokuroria, gjykatat si dhe institucioni i presidentit dhe Parlamenti.

Mungesa e perceptuar e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë qendrore dhe vendore shihen si bazat kryesore për mosbesimin e publikut, ndërsa gjatë vitit të fundit më shumë qytetarë janë përgjigjur se kanë pasur përvoja personale me korrupsionin dhe ryshfetet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos