
Qeveria ka parashikuar financim të plotë për organet e vetingut. Edhe pse mandati i përfundon në muajin qershor dhe zgjatja e afatit është futur në ngërç, fondi për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik do të jenë të plota.
“Buxheti i vitit 2022 ka akomoduar kostot vjetore të institucioneve të drejtësisë duke përfshirë edhe politikat e reja për SPAK dhe BKH, si edhe financimin e plotë të institucioneve për rivlerësimin kalimtar të magjistratëve”, tha Ibrahimaj.
Prezenca e Ministres së Financave në Komisionin e Ligjeve nuk kaloi qetë. Opozitarët kërkuan përgjigje për fondet që janë parashikuar për gjyqet e arbitrazhit, një çështje të cilën mazhoranca nuk pranoi që të hetohej nga parlamenti.
“Arsyeja pse ne i publikojmë këto vendime që janë në proces dhe arsye pse i kemi pjesë të projektbuxhetit si kontigjencë, janë pikërisht për përgjegjshmërinë e Ministrisë së Financave që në rast se do të materializohet një apo dy apo tre apo do të përfundojë në total procesi i arbitrazhit, ne t'i përfshijmë në buxhet në momentin e parë”, shtoi ministrja.
Pas shqyrtimit në parim, në Komisionin e Ligjeve do të vijnë titullarët e institucioneve të pavarura ku do të nisin negociatat për të marrë më shumë para nga arka e shtetit. (A2 Televizion)