
Pavarësisht se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të nënshkruajnë në dhjetor marrëveshjen për lëvizjen e lirë të mallrave, ministrja e Finacave dhe Ekonomisë ka deklaruar nga Samiti i Berlinit se qeveritë e shteteve përkatëse nuk kanë ndërmarrë ende asnjë hap konkret për unifikimin e saj.
“Ka një unifikim të vizionit, por akoma nuk janë marrë hapa konkrete. Jemi shpresëplotë që në dhjetor do të firmosen marrëveshjet për lëvizjen e lirë të mallrave”, tha Denaj.
Aktualisht, importesit dhe eksportuesit janë të detyruar të presin mesatarisht 4 ditë në dogana në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, kohë e cila, sipas ministres Denaj, pritet të reduktohet në 24 orë menjëherë pas firmosjes së këtij dokumenti.
Ky i fundit parashikon lehtësi për bizneset, veçanërisht ato që lidhen me heqjen e barrierave doganore apo me licencat. (A2 Televizion)