
Edhe pse mbetet në kërkim të një emri të madh për sulmin, ndërkohë Real Madrid siguron një prej yjeve të merkatos.
David Alaba, kontrata e të cilit me Bayern përfundon në muajin qershor, do të transferohet në kryeqytetin e Spanjës. Sipas mediave iberike, futbollisti ka gjetur marrëveshjen me Realin, madje ka firmosur edhe parakontratë për të luajtur në Bernabeu.
Austriaku do të firmosë kontratë 3-vjeçare me pagë 12 milionë euro në sezon. Kjo është oferta me të cilën madrilenët mposhtën konkurrencën e Juventus, Liverpool e Paris Saint Germain.
Me afrimin e Alabës, nga Reali largohet Marcelo, i cili nuk është më pjesë e projektit të Zinedine Zidane. Për brazilianin interesohet Monaco, me klubin nga Principata që i ofron kontratë 3-vjeçare, me pagë 6 milionë euro në sezon. Lëvizje të mëdha edhe në Angli, aty ku Manchester City kërkon një sulmues të nivelit të lartë, si pasardhës të Sergio Agueros.
Klubi do të vendosë në dispozicion të trajnerit Pep Guardiola një buxhet me vlerë 225 milionë euro, për të përforcuar ekipin për sezonin e ardhshëm. Objektivi është përforcimi i repartit ofensiv, me alternativat që janë sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku dhe ylli i Borussia Dortmund, Erling Haaland, të cilët janë edhe dy prej lojtarëve që kanë shënuar më tepër në sezonet e fundit. (A2 Televizion)