
Robert Lewandowski u paraqit normalisht në grumbullimin e Bayern, megjithatë e ka mendjen te Barcelona. E ardhmja e sulmuesit polak mbetet për t’u përcaktuar, me spanjollët që vijojnë negociatat me bavarezët, pas refuzimit të ofertës me vlerë 50 milionë euro.
33-vjeçari kreu vizitat mjekësore dhe u vendos në dispozicion të trajnerit Nagelsmann, në pritje që katalanasit që gjejnë akordin, për të vijuar karrierën në Camp Nou. Situata nuk është aspak e qetë dhe kjo duket në reagimin e tifozëve.
Ata nuk i kanë kursyer kërcënimet me vdekje në rrjetet sociale. Asnjë mbështetës i Bayern-it nuk dëshiron ta shohë yllin e skuadrës të largohet drejt La Liga-s. Prej transferimit në vitin 2014, Lewandowski kafituar praktikisht gjithçka me bavarezët. Në total janë tetë tituj në Bundesligë, tre kupa të Gjermanisë, një Champions, një Superkupë të Europës dhe një Botëror për Klube.
Një sulmues i aftë të shënojë 344 gola në 375 ndeshje. Për momentin mbetet dyshimi nëse Lewandowski do të udhëtojë së bashku me skuadrën drejt Shteteve të Bashkuara, për miqësoret me DC United dhe Manchester City. Nuk dihet edhe nëse ai do të luajë më 30 korrik, në finalen e Superkupës përballë Leipzig, për të ngritur trofeun e fundit me Bayern-in. (A2 Televizion)