
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte “I Ftuari” i mbrëmjes i Endri Xhafos në A2.
I pyetur për bisedimet për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, Haradinaj pranoi që ato gjenden në një ngërç, që nuk varet nga vullneti i autoriteteve kosovare.
“Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të hyrë në agjendën e takimit për liberalizimin, por nuk e arritëm dot, ndërkohë që kjo gjë ende është e mundur. Është situate e çuditshme dhe zhgënjyese, sepse ne i kemi përmbushur detyrat”.
Haradinaj përmendi një seri reformash që Kosova ka kryer në kuadër të liberalizimit, ndër të tjerat paketën ligjore të cilësuar “shumë të avancuar”.
Sipas kryeministrit, nga mungesa e liberalizimit nuk humb vetëm Kosova, por edhe vetë reputacioni i Bashkimit Evropian.
“Liberalizimi është humbje e madhe për banorët e Kosovës, por edhe një humbje për Evropën, një mungesë konsistence në agjendën e tyre. Kosova i përmbushi detyrat, janë ata që nuk e kanë arritur dot, duke u justifikuar bukur me procesin e zgjedhjeve evropiane, dhe debatet e brendshme të ngritura në BE”. (A2 Televizion)