
Liderët e Bashkimit Europian nuk u dakordësuan dot mbi propozimin franko-gjerman, për të mbajtur një samit me presidentin rus, Vladimir Putin. Vendet e bllokut që ndajnë kufij me Rusinë, kundërshtuan idenë, duke thënë se samiti do të përcillte mesazh të gabuar.
Në një deklaratë të lëshuar në orët e para të së premtes, udhëheqësit e 27 shteteve anëtare thanë se do të shqyrtojnë formatet dhe kushtet e dialogut, por pa përmendur ndonjë takim të nivelit të lartë, apo samit me Putin.
Franca dhe Gjermania propozuan mbajtjen e samitit të BE-së me Putinin - i pari që nga janari i vitit 2014 - pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u takua me numrin 1 të Kremlinit në Gjenevë, më 16 qershor. Presidenti francez, Emanuel macron tha se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. (A2 Televizion)