
Shpresat që ia ushqyen ballë për ballë, ia shuan pas krahëve. Liderët e Bashkimit Europian, pasi përcollën Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftuan se avionët luftarakë nuk mund të dërgohen së shpejti në Kiev. Por, premtuan furnizime me armë të fuqishme më të dobishme dhe që mund të dorëzohen më shpejt.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u shpreh: “Në asnjë mënyrë nuk mund të dorëzojmë avionët luftarakë në javët në vijim, pasi po bëhen trajnime. Se kur do të përfundojnë këto trajnime të pilotëve ukrainas, nuk dihet. Megjithatë, nuk përjashtoj aspak dërgimin e avionëve, por kjo nuk korrespondon me nevojat e sotme”.
Nevojën që Perëndimi të veprojë më shpejt në ndihmë të Ukrainës, e konfirmoi fakti se ofensiva e madhe e Rusisë duket se ka nisur. Forcat pushtuese lëshuan një sulm masiv raketor në të gjithë territorin, me sirenat e alarmit që rikthyen frikën edhe në Kiev. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në kryeqytet, por gjithashtu edhe në rajone të tjera si Kharkiv dhe Zaporizhzhia.
Autoritetet ukrainase raportojnë se janë lëshuar mbi 40 raketa Calibur dhe X101, si dhe dronë të ndryshëm, që kanë shënjestruar dhe dëmtuar rrjetet energjitike dhe ato jetike. Ndërprerje të shumta në furnizimin me elektricitet dhe ujë të pijshëm janë raportuar, gjithashtu mësohet se bombardimet ruse kanë shkaktuar edhe të plagosur.
Sulmet e fundit kanë detyruar forcat ajrore ukrainase që të përsërisin thirrjet për vendet perëndimore që të furnizojnë avionët e luftës, madje një kërkesë zyrtare për bombarduesit F-16 i është dorëzuar Holandës.
(A2 Televizion)