























Situata në Turqi bëhet edhe më e rëndë. Dhimbja për jetët e humbura dhe lufta për te gjetur të mbijetuarit pasohet nga misioni i mbijetesës. Ushqimi dhe strehimi janë prioritete për autoritetet lokale.
A2 CNN u bë pjesë e ekipeve vullnetare, që përgatisin ushqime për të prekurit nga tërmeti dhe më tepër për ata që qëndrojnë pranë godinave të shembura, me shpresën për të gjetur gjallë familjarët e tyre të zënë në rrënoja.
Me heshtje dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm, të gjithë mundohen te japin kontributin e tyre. Këto pamje nga Adana tregojnë dhimbjen dhe njëherësh solidaritetin e popullit turk.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 22 mijë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën.
Skuadrat e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur sa më shumë të gjallë. Mes tragjedisë që ka përfshirë të dy vendet, ka herë pas herë grimca të vogla lumturie, ku fëmijë e familjarë gjenden të gjallë nën rrënoja e shpëtohen. (A2 Televizion)