
Drejtuesit e G7, të cilët do të takohen të premten në Cornwall, do të bëjnë thirrje për një hetim të ri dhe transparent të OBSH-së për origjinën e koronavirusit.
Një kërkesë e iniciuar nga administrata e Joe Biden, e cila pason vendimin e presidentit amerikan për të zgjeruar hetimin amerikan për origjinën e pandemisë, pas dyshimeve për daljen e mundshme të virusit nga një laborator i Wuhan. Administrata e Biden bëri thirrje për një hetim të ri amerikan për origjinën e virusit muajin e kaluar.
Në një dokument jozyrtar të raportuar nga Bloomberg përshkruhen përpjekjet që liderët po ndërmarrin në një plan për t'i dhënë fund pandemisë deri në fund të vitit të ardhshëm.
Një ekip i OBSH-së tha në fillim të këtij viti se ishte "jashtëzakonisht e pamundur" që koronavirusi i ri të dilte nga një laborator i Wuhan në Kinë. Komuniteti shkencor kryesisht kishte përqafuar idenë se virusi u hodh nga një kafshë te një njeri para se të përhapej.
Por ekziston mundësia e një aksidenti laboratorik për daljen e koronavirusit. Një raport i Wall Street Journal tha se tre punëtorë në laboratorin e Wuhan u shtruan në spital në nëntor 2019 përpara rasteve të para të raportuara të COVID-19.
Në draftin e G7 udhëheqësit do të angazhohen për 1 miliard vaksina të koronavirusit për të mbuluar 80% të popullsisë së botës. (A2 Televizion)