
Kryeministri Rama ka dalë mesditën e sotme në një bashkëbisedim LIVE në rrjetet sociale, teksa i është përgjigjur pyetjeve të komentuesve, por edhe të gazetarëve.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me lajmet e ditëve të fundit se vëllai i tij është i përfshirë në aferat e mashtrimit me Call Center Bursa, së bashku me Amant Josifin, këshilltarin e ministres Olta Xhaçka, Rama u shpreh se këto akuza janë të pavërteta.
Ai garantoi se qeveria që ai drejton nuk është mburojë e asnjë aktiviteti dhe i askujt, pasi sipas tij, nëse do të ishte kështu, personi në fjalë nuk do të ishte në kërkim.
“Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti dhe nuk i bëhet mburojë askujt, por këto spekulime të natyrës ‘një ish zyrtar’ etj etj, janë pa asnjë vlerë, sepse e para ky ish-zyrtar sot është në kërkim nga drejtësia dhe ky është një proces që nuk është bërë nga ana ligj-zbatuese spanjolle në mënyrë krejt të pavarur, por në zbatim të ngushtë me organet tona ligj-zbatuese, të cilat nuk kanë asnjë lloj pengese apo ndikimi për të mos vepruar.”
Kryeministri Edi Rama
Ndërkohë, lidhur me përmendjen e emrit të vëllait të tij, Olsi Rama, kreu i qeverisë tha se ai është bërë thjesht pjesë e valles së madhe të shpatave të politikës, ndërsa garantoi se nuk ka asnjë lloj baze.
“Përsa i përket futjes në valle të emrit të vëllait tim, edhe pse ai është adult, dhe mbrohet vetë, është pjesë e valles së madhe të shpatave të politikës dhe nuk ka asnjë lloj baze dhe nëse personazhi që po flasim do të kishte mbrojtje shtetërore, ai sot nuk do të ishte në kërkim.” (A2 Televizion)
Kryeministri Edi Rama