Ligji i ri në Hong Kong, SHBA drejt vendosjes së sanksioneve ekonomike

Nga A2 CNN
2 Korrik 2020, 12:53 | Bota
Ligji i ri në Hong Kong, SHBA drejt vendosjes së sanksioneve ekonomike

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës aprovoi sanksione të reja ndaj Hong Kongut, pasi Pekini imponoi një ligj sigurie që u dënua nga vende të shumta të botës. Masat, që u kaluan në mënyrë unanime, penalizojnë bankat që bëjnë biznes me zyrtarë të Kinës. Megjithatë, sanksionet duhet të aprovohen dhe nga Senati përpara se të shkojnë në tryezën e presidentit Donald Trump për t’i firmosur.

Kritikët theksojnë se ligji i imponuar nga Kina heq liritë e garantuara për 50 vite nga sundimi britanik që përfundoi në 1997. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cilësoi atë si brutal.

“Nuk është gjë tjetër përveç se një përpjekje e gjithanshme për t’i mohuar të drejtat popullit të Hong Kongut, në shkelje me marrëveshje e arritur për një shtet, dy sisteme. Ligji është brutal dhe godet qytetarët me qëllim të shkatërrojë liritë që u janë premtuar”, u shpreh Nancy Pelosi, kryetare e dhomës së përfaqësuesve.

Ligji i ashtuquajtur i sigurisë është dënuar edhe nga kryeministri britanik, Boris Johnson që e cilësoi si shkelje serioze të deklaratës së përbashkët mes Londrës dhe Pekinit të nënshkruar në vitin 1985. Mbretëria e Bashkuar u ofron leje qëndrimi dhe më pas shtetësi rreth 3 milionë banorëve të Hong Kongut, por Kina kërcënoi me kundërmasa për të bllokuar këtë plan.

Gjithashtu, Pekini mori mbështetjen e më shumë se 50 shteteve në OKB, grupim i kryesuar nga Kuba. Ndërkohë, kjo sjellje e Kinës dhe ashpërsimi i ligjeve ka nxitur sërish një valë protestash në territorin gjysmë autonom. Qindra manifestues janë arrestuar në ditët e fundit përfshirë një 15-vjeçare. Synimi i ligjit të ri të vendosur nga Kina është që të ndalojë protestat e grupimeve pro demokracisë që mbizotëruan përgjatë 2019-s në Hong Kong dhe të dënojë personat që tregojnë mungesë respekti për simbolet e shtetit komunist si himni dhe flamuri.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos