Ligji për PPP, eksperti: Nuk reflekton shqetësimet e FMN

Nga A2 CNN
3 Shtator 2019, 17:12 | Ekonomi
Ligji për PPP, eksperti: Nuk reflekton shqetësimet e FMN

Ndryshimet që qeveria propozon në ligjin e PPP-ve, i cili u kthye mbrapsht për shqyrtim nga presidenti, nuk i zbeh risqet që kontratat koncesionare kanë për buxhetin e shtetit. Eksperti i politikave buxhetore, Panajot Soko argumenton se drafti i Ministrisë së Financave, që po diskutohet për herë të dytë në Komisionin e Ekonomisë nuk reflekton shqetësimet dhe rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe as institucioneve të tjerë të huaja që kanë apeluar për kujdes.

“Tentativa ose me saktë kokëfortësia e qeverisë për të vijuar me projekte të tilla tregon që nuk do t’i marrë parasysh rekomandimet e FMN-së dhe Bankës Botërore. Të gjithë këto do të kenë pasoja më tej në momentin kur këto kontrata do të vazhdojnë të jenë aktive dhe ta vazhdojnë të zhvillohen akoma dhe më tej”, deklaroi Soko.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore bashkohen në shqetësimin e kostove të larta dhe të fshehta që kontratat koncensionare të formës PPP kanë për buxhetin e shtetit.

“Kontratat PPP kanë një problem sepse kostot e tyre janë jashtëzakonisht shumë të mëdha. Për investime eficiente është forma tradicionale nëpërmjet borxhit publik. Ti merr borxh, investo dhe e ke normën e investimit dhe kostoja e investimit është interesi i borxhit publik që ti ke marrë”, shtoi Soko. Deri në fund të vitit 2018, qeveria ka nënshkruar më shumë se 200 kontrata koncesionare, kryesisht për projekte infrastrukturore. Deri më tani, impakti i tyre tek borxhi publik i vendit ende nuk është përllogaritur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos