
Piloti shqiptar, Lirim Zendeli, do të rikthehet në Formula 2, të paktën për një garë, me skuadrën Campos Racing. Ishte vetë skuadra spanjolle që njoftoi bashkëpunimin me Zendelin, për shkak se FIA ka pezulluar pilotin tjetër të saj, Olli Caldwell.
“Jam shumë i emocionuar që do të garoj sërish në Formula 2. Ka kaluar një vit tashmë që prej herës sime të fundit në F2 dhe mezi po e pres këtë përvojë. Do të jetë sfidë e madhe që të vazhdoj punën e Caldwell, por do të përpiqem të bëj më të mirën”, citohet të ketë thënë Zendeli në llogarinë në Instagram të Campos Racing.
Themeluesi i skuderisë së krijuar në vitin 1998, Adrian Campos, tha: “Shpresoj që Zendeli të përshtatet shpejt me makinën dhe mendoj se me mbështetjen e skuadrës, mund të kemi një fundjavë të mirë”.
Piloti 23-vjeçar do të garojë këtë fundjavë në Spa, Belgjikë. Në vitin 2021, ai u detyrua të ndërpriste aventurën në Formula 2, për shkak të problemeve financiare me sponsorët, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Në maj të këtij viti u njoftua se Zendeli do të garonte sërish në Formula 3, me Charouz Racing, ku zuri vendin e David Schumacher, djalit të ish-pilotit Ralf Schumacher dhe nipit të legjendës Michael Schumacher. (A2 Televizion)