Në pritje të opozitës parlamentare, socialistët mbrojnë draftin e tyre të paraqitur në Këshillin Politik, me të cilin pretendojnë se po hapin 100% listat e kandidatëve për deputetë. Kur u pyet nga gazetarët përse kandidatëve u vihet pengesë në arritjen e një pragu votash të paktën sa mesatarja e partisë për të kapërcyer në listën fituese, Taulant Balla deklaroi se kjo është praktika më e mirë ndërkombëtare. “E nxis PD dhe LSI dhe partitë e tjera që të kontribuojnë me propozime, por drafti i propozuar nga ne i ka marrë parasysh 100% të gjitha sensibilitetet. Modeli i Kroacisë, Danimarkës, Belgjikës dhe shumë vendeve të tjera janë më të mira. Pa dyshim që ka këndvështrime që mund të përzgjidhet dhe modeli i Kosovës. Por nëse i vendosim në peshore argumentesh, argumenti që një kandidat të zgjidhet deputet, pa mbështetjen e partisë, duhet të përmbushë legjitimitetin demokratik që të arrijë votat. Nuk mund të jetë që mblidhen 36 veta në Tiranë dhe marrin 300 vota dhe ai që ka 301 vota zgjidhet deputet. Kam besim që opozita jashtëparlamentare do të kontribuojë me propozimet konkrete për përmirësimin e draftit. Nëse kjo gjë nuk ndodh ndryshimet kushtetuese kanë ndodhur, listat janë hapur dhe zgjedhjet do të bëhen me lista të hapur 100% siç është propozimi ynë konkret”, u shpreh Balla. (A2 Televizion)
Listat e hapura, Balla: Kam besim që opozita jashtëparlamentare do të kontribuoj
