
Partia Demokratike ka ridepozituar pranë KQZ-së listën e korrigjuar të kandidatëve për deputet. Krahas ndryshimeve të disa kandidatëve në fund të listës, u vu re largimi nga kandidimi të mjekut Gazmend Koduzi duke u zëvendësuar me sportistin Gentian Muça.
Por, më shumë se sa lëvizjet e kandidatëve, lista e PD-së është sërish jashtë kritereve që ka parashikuar KQZ dhe mbi këto parashikime ngrihet pikëpyetja nëse KQZ do ta lejojë vijimin e koalicionit opozitar në garën e 25 prillit.
Ndër argumentet që përdori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për kthimin e listave të kandidatëve për deputet të PD-së ishte mosrespektimi i numrit të tyre për çdo zonë zgjedhore. Mesnatën e 8 marsit, PD dërgoi në emër të koalicionit, më shumë emra se sa lejon ligji. Përsëri ndodhi e njëjta gjë.
Komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të qartësuar numrin e kandidatëve, kishte publikuar më herët numrin e kandidatëve për çdo qark, por PD ka një lexim tjetër të ligjit.
Konkretisht për Tiranë, KQZ ka kërkuar 36 kandidat, ndërsa PD ka depozituar 45, madje tre më shumë se sa lista e kthyer për rikorrigjim. E njëjta panoramë, me më shumë kandidat, është edhe në qarqet e tjera.
E kontaktuar nga A2, Partia Demokratike njoftoi se depozitimi i listës së kandidatëve për deputet është bërë sipas Kodit Zgjedhor duke dëshmuar një lexim ndryshe nga ai i vetë KQZ-së. Sipas PD-së, ligji ndalon një numër kandidatësh më të vogël se sa numri i mandateve në zonën zgjedhore, dhe mjafton që ai të jetë i plotëpjestueshëm me numrin tre duke iu referuar nenit 67 të Kodit Zgjedhor.
Por, Celibashi tashmë duhet të përballet vendimmarrjen nëse duhet lejuar garimi i PD-së, duke përdorur një standard ndryshe nga sa bëri me garueset e tjera, apo do ta skualifikojë.
Pavarësisht vendimmarrjes, çështja mund të shkojë për ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor të cilët pritet të japin edhe verdiktin final për këtë çështje. (A2 Televizion)