Lleshaj me kryetarët e bashkive, ndan detyrat për zgjedhjet lokale

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2018, 13:50 | Aktualitet
Lleshaj me kryetarët e bashkive, ndan detyrat për zgjedhjet lokale

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim ditën e sotme me Prefektët, Kryetarët e Bashkive dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të qershorit 2019.

Ndër detyrat e lëna nga Ministri i Brendshëm për njësitë vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milion karta identiteti, të cilave u skadon vlefshmëria. Ministri u kërkoi kryetarëve të bashkive, të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur lëvizjet dhe regjistrimet fiktive të shtetasve, para periudhës elektorale duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkeljet.

Në funksion të nismës së “Policimit në Komunitet”, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë vendore do të krijojnë zyra për Zonat Policore, duke ofruar shërbimet më pranë qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos