Lleshaj ndalon “postblloqet” dhe heq policët nga semaforët

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2018, 10:25 | Aktualitet
Lleshaj ndalon “postblloqet” dhe heq policët nga semaforët

Në rrugët e qyteteve shqiptare nuk do të shohim më postblloqe me policë apo oficerë të vendosur nëpër semaforë. Sipas një urdhri të ri të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, këto dy praktika do të ndalohen.

Nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Lleshaj kërkon ndryshimin e menjëhershëm të gjendjes, duke komentuar se prania e Policisë në numër të tepruar dhe statike, nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Masa e dytë, ku kërkohet ndryshimi i shpejtë i situatës është shmangia në maksimum e punonjësve të Policisë Rrugore, që dublojnë semaforët. Kjo praktikë ndikon në edukim të gabuar të përdoruesve të rrugës, në raport me rregullat e qarkullimit rrugor.

“Prania e postblloqeve policore u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, teksa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ulëtat në rajon”.
Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm

Ndër masat e tjera që do të nisin zbatimin shpejt, është projekti për dërgimin e gjobave nëpërmjet Postës, në adresë të shoferëve shkelës. Reduktimi i policisë në akset rrugore të vendit do të shfrytëzohet si mundësi që punonjësit të përfshihen në programe trajnimi, që nga ato profesionale e deri tek modulet e trajnimit fizik, të gjuhës së huaj etj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos