Lleshaj për PD: Themelues krenarë të kryeqytetit europian të kanabisit. PD: Lleshaj, si Tahiri

Nga A2 CNN
18 Korrik 2020, 19:24 | Politikë
Lleshaj për PD: Themelues krenarë të kryeqytetit europian të

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i është kundërpërgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për rikthimin e kanabizimit masiv të vendit.

“Themeluesit krenarë dhe shfrytëzuesit e paskrupullt të kryeqytetit europian të kanabisit, Lazaratit, e kanë humbur të drejtën morale për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo në këtë vend për këtë temë, por jo vetëm për këtë! Dy fotot e publikuara sot nga PD janë jo vetëm një fiasko në aspektin informativ, po edhe një tjetër shembull i radhës së PD nuk i intereson e vërteta, po dizinformimi i publikut! Policia e Shtetit ka shkatërruar prej ditësh jo vetëm dy parcelat në fotot e lodhura të PD, që mesa duket i kanë dhembur ndonjë kultivuesi a lidhjeje biznesore të vetë PD, por edhe dhjetëra parcela të tilla në të gjithë vendin”, shkroi Lleshaj në Facebook.

“Në vitin 2019 në bregdetin italian u sekuestrua sasia më e ulët historike e kanabisit. Të gjithë treguesit e nivelit të sigurisë në vend dhe ata të rezultateve në luftën kundër krimit, përfshirë kanabisin, janë në nivelet më të mira historike. Asgjë nuk mund të krahasohet me kohën kur vendin e qeveriste lazaratopatia!”.

Nuk vonoi edhe reagimi i PD. “Akuzat e rreme të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj kundër Partisë Demokratike për çështjen e kanabisit janë identike me ato të paraardhësit të tij Saimir Tahirit para 4-5 vjetëve, kur droga transportohej me avion dhe qeveria bënte sikur vriste mushkonja. Historia e afërt na tregon se sulmet politike nuk e ndryshojnë dot faktin se, njësoj si atëherë, Shqipëria është e mbjellë me drogë nga Veriu në Jug të vendit, si pjesë e projektit të Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin”, thuhet në deklaratën për media.

“Fotot e publikuara sot janë vetëm maja e ajsbergut e sipërfaqeve të mbjella me drogë kudo në Shqipëri. Janë prova se kultivimi i kanabisit ka bekimin e kësaj qeverie, të deputeteve dhe kryebashkiakëve të Edi Ramës. Shqipëria është e mbushur plot me kanabis. Kudo është mbjellë drogë dhe fakt është se nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar. Shpifjet nga facebook-u për gjoja lidhje të PD-së me trafikantë droge që ne po denoncojmë çdo ditë, e bëjnë edhe më qesharake reagimin e pasardhësit të Saimir Tahirit, të dënuar për bashkëpunim me trafikantët e drogës. Sandër Lleshaj duhet të thotë publikisht emrat e atyre që pretendon se janë të lidhur me PD, ose të kërkojë ndjesë publike për lehjen e radhës kundër opozitës.  Në fakt, këto janë thjeshtë shpifje që i shërbejnë Ministrit të Hashashit vetëm për të fshehur trafikantët e drogës dhe për ti ikur fakteve tronditëse të raportit të Antimafias Italiane”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos