
Krimi ekonomik në Policinë e Tiranës procedoi administratorin e ekipit të Kastriotit pasi në fanellat me të cilat zbriti në fushë në ndeshjen e djeshme përballë Partizanit kishte logot e një kompanie bastesh.
Sipas policisë, gjithashtu po verifikohet për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" vëzhguesi i Federatës Shqiptare të Futbollit prezent në këtë ndeshje, i cili ka lejuar që futbollistët të futen dhe të luajnë duke pasur të reklamuar në fanella këtë logo të kompanisë së basteve.
Nisja e hetimeve për këtë rast erdhi pas denoncimit të zv/ kryeministrit Erjon Braçe. I njohur si tifoz i zjarrtë i Partizanit, Braçe si çdo herë edhe dje ka qenë në stadium për të ndjekur nga afër të kuqtë. Pas fitores 2-0 të Partizanit, Braçe ka bërë një status në rrjetet sociale ku përgëzonte lojtarët për fitoren, ndërsa në fund denonconte reklamën në fanellën e ekipit të Kastriotit. (A2 Televizion)