
Londra ka anuluar festimet e planifikuara për Vitin e Ri për shkak të rritjes drastike të rasteve të variantit Omicron. Lajmi është njoftuar nga kryebashkiaku laburist i Londrës, Sadiq Khan, sipas të cilit, infeksionet kanë arritur nivele rekord në kryeqytetin britanik.
"Me infeksionet Covid-19 në nivele rekord në qytetin tonë dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, unë jam i vendosur të bëj gjithçka që është e mundur për të ngadalësuar përhapjen e variantit të ri dhe për të siguruar që shëndeti publik të mos mbingarkohet nga ky dimër. Kjo do të thotë se ne nuk do të organizojmë më festimin e Vitit të Ri me 6500 persona në sheshin Trafalgar", njoftoi ai.
"Do të jetë një zhgënjim për shumë londinezë, por ne duhet të marrim masat e duhura për të reduktuar përhapjen e virusit", shtoi Khan.
Ai tha se qendër e festimeve të Vitit të Ri në Londër do të jetë një spektakël i shkëlqyer që do të transmetohet live në BBC dhe do të nxjerrë në pah momentet kryesore të vitit 2021.
Edhe Nju-Jorku mund të rishikojë planet për festimet tradicionale të Vitit të Ri në Times Square, një atraksion për qindra mijëra qytetarë dhe turistë të Big Apple.
Vendimi do të merret përpara Krishtlindjeve, njoftoi kryebashkiaku, Bill de Blasio.
Numërimi mbrapsht i pritjes së Vitit të ri mund të anashkalohet për shkak të rreziqeve që lidhen me përhapjen e variantit Omicron të Covid.
Në Nju-Jork, ku çdo ditë regjistrohet një numër rekord i rasteve, pritet një kulm i infeksioneve në javët në vijim. (A2 Televizion)