
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë për ekstradimin në Itali të Gentian Manajt, i dyshuar si pjesë e një karteli shqiptar të kokainës në Amerikën Latine. 35-vjeçari Manaj u arrestua në Tiranë në shtator të vitit 2020 për llogari të drejtësisë italiane nga operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “Los Blancos”.
Referuar vendimit të Kushtetueses, çështja e lejimit ose jo të ekstradimit të tij duhet të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë më herët nuk kishte pranuar rekursin e Manajt, me arsyetimin se ishte firmosur vetëm nga avokati i tij, që nuk i kishte tagrat e duhura ligjore.
Kushtetuesja ka vlerësuar se Manaj i kishte dhënë këtë të drejtë mbrojtësit të tij dhe se vendimi i Gjykatës së Lartë duhej shfuqizuar, pasi kërkuesit i ishte cenuar e drejta e aksesit në drejtësi. Por nga ana tjetër, vendimi ndaj Manajt vjen në një kohë kur ekstradimi i tij është realizuar. I njohur edhe me emrin Myzafer, Gentian Manaj, ndodhet në Itali në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Drejtësia italiane e akuzon Manajn për “organizatë kriminale” dhe “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
Ai ishte një nga 5 të arrestuarit në Shqipëri nga “Los Blancos” që u shtri në 10 vende, mes të cilave Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Ekuadori. Sipas hetimit 5-vjeçar, gjatë së cilit u sekuestruan 4 tonë kokainë, karteli importonte ngarkesa të mëdha kokaine nga Amerika Latine, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Europën. (A2 Televizion)