Drejtori i Spitalit të Elbasanit, Agron Gaxho ka reaguar sot pas denoncimit të bërë nga deputeti, njëherazi kandidati i opozitës për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, se ishin anuluar të gjitha operacionet dhe se pacientët detyrohen të blejnë gjithçka vetë në farmaci, përfshirë dhe aparatin e serumit.
Gaxho e ka përgënjeshtruar këtë lajm duke thënë se ndërhyrjet kirurgjikale nuk janë ndalur në asnjë moment dhe puna nuk është ndërprerë. Po ashtu theksohet se spitalit nuk i mungojnë as materialet apo medikamentet dhe puna po vijon me normalitet si në çdo ditë të vitit.
Kujtojmë se, kandidati i PD për Bashkinë e Elbasanit, publikoi ditën e djeshme një postim në rrjetet sociale ku shprehej se situata në Spitalin e Elbasanit është katastrike, pasi janë pezulluar operacionet e të gjitha niveleve të planifikuara, ndërsa sipas tij rrezikohet edhe shërbim i Urgjencës.
“SITUATË KATASTROFIKE NË SPITALIN E ELBASANIT
Nga sot në spitalin rajonal të Elbasanit janë pezulluar operacionet e të gjitha niveleve të planifikuara. Rrezikohet madje dhe shërbimi i urgjencës. Nuk ka materiale e mjete mjekësore deri dhe garza e lekoplast.
Situata ka degraduar sa njerëzit blejnë në farmaci dhe gjërat më elementare, siç është aparati i serumit që kushton vetëm 20 lekë. Njerëzit janë të pashpresë! Rama vazhdon shown e radhës” (A2 Televizion)
Denoncimi i Luçiano Boçit


