
Pasi ndryshoi mendje për ndihmën nga Shqipëria, Greqia ka falenderuar vendin tonë për dërgimin e forcave zjarrfikëse teksa lufton me vatrat e zjarrit prej ditësh tashmë.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka falenderuar në platformën X të gjithë shtetet që po i vinë në ndihmë shtetit helen në luftën me zjarret. Mes tyre, ai falenderon edhe Shqipërinë e cila ka dërguar në shtetin fqinj 48 zjarrfikës dhe 9 automjete.
I dërgojmë falenderimet tona Shqipërisë për dërgimin në Greqi të 48 zjarrfikësve dhe 9 automjeteve duke na u bashkuar në luftën tonë kundër zjarreve në Alexandroupoli. Faleminderit Shqipëri.
Kyriakos Mitsotakis, X
Kujtojmë se pas ofrimit të ndihmës nga ana e Shqipërisë, Sistemi Europian i Mbrojtjes Civile u shpreh më herët gjatë ditës se vendet e BE kishin plotësuar nevojën për trupat tokësorë, ndaj pati një farë tërheqje të shërbimit zjarrfikës të vendit tonë.
Nga i njëjti sistem disa orë më vonë erdhi një tjetër përgjigje, në të cilën bëhej e ditur se forcat shqiptare do të kalonin drejt Greqisë për t’iu bashkuar mjeteve zjarrfikëse dhe trupave këmbësorë që janë duke marrë pjesë në shuarjen e zjarreve në Greqi. (A2 Televizion)