
Çdo dëmtim i mundshëm i centralit bërthamor të Zaporizhias do të ishte një vetëvrasje. Ky ishte paralajmërimi i zymtë i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres gjatë takimit të zhvilluar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe atë ukrainas Volodymyr Zelensky, në qytetin e Lviv në Ukrainë.
Guterres tha se ishte tejet i shqetësuar për luftimet pranë centralit më të madh të Europës. “Mbetem thellësisht i shqetësuar për situatën pranë centralit më të madh nuklear në Europë, në Zaporizhia. Arsyeja duhet të mbizotërojë në mënyrë qe të parandalohet çdo veprim që mund të rrezikojë integritetin fizik dhe sigurinë në impiant. Çdo dëm i mundshëm aty do të nënkuptonte vetëvrasje”, tha Guterres.
Edhe presidenti turk, i cili vizitoi për herë të parë Ukrainën që prej shpërthimit të luftës, i bëri jehonë shqetësimeve të OKB duke thënë se i druhej një tjetër katastrofe si ajo e Çernobilit në centralin bërthamor.
Pas takimit trepalësh numri një i Ankarasë, tha se kishin diskutuar për mënyrat për t’i dhënë fund luftës. “Fokusi i takimit trepalësh i mbajtur me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, ishin mënyra e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit. Vlerësuam mundësinë e transformimit të atmosferës pozitive të krijuar në Stamboll në paqe afatgjatë”, tha Erdogan. Gjatë javëve të fundit zona pranë centralit të Zaporizhias është vënë në shënjestër te bombardimeve, me Kievin dhe Moskën që akuzojnë njëri-tjetrin. Ndërsa paralajmëroi për provokime të mundshme nga Rusia në central, presidenti Zelensky tha se bota ishte pranë katastrofës bërthamore. Sakaq, burime lokale në Krimenë e pushtuar nga rusët raportuan një numër shpërthimesh pranë aeroportit ushtarak të Belbek. Guvernatori i caktuar nga rusët i Sevastopolit mohoi të kishte pasur të plagosur apo dëme, edhe pse videot në rrjetet sociale treguan shpërthime të fuqishme që ndriçuan qiellin e natës. (A2 Televizion)