
NATO është shkaku i krizës në Ukrainë, thotë ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Pino Arlacchi. Në një intervistë për Televizionin Shtetëror Kinez, Arlacchi thotë se zgjerimi i NATO-s pa fund në lindje ka sjellë si rezultat këtë përplasje të armatosur.
“Shkaku kryesor i krizës në Ukrainë është zgjerimi i pafundmë i NATO-s, çka ka bërë që Rusia të mendojë se po kërcënohet dhe të reagojë. E kam thënë që ky është një problem që vijon prej 20 vitesh. Bashkimit Sovjetik u sigurua që NATO nuk do të zgjerohej në lindje, por zgjerimi vijoi. Shtetet e reja të anëtarësuara në NATO ndajnë kufirin me Rusinë dhe Rusia nuk po e toleron më këtë”, tha ai.
Ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB-së thotë se sanksionet e vendosura nga shtetet perëndimore do të dëmtojnë më shumë ato sesa Rusinë, për shkak se ai është një vend me nivel shumë të ulët të borxhit të jashtëm, dhe eksportues i madh. “Mendoj se zgjidhja për këtë situatë është e thjeshtë. E kanë në dorë vetë shtetet europiane. NATO-ja duhet të deklarojë se Ukraina nuk do të anëtarësohet. Nëse e hedhin këtë ide në letër dhe nënshkruajnë një traktat ndërkombëtar, situata zgjidhet”, tha Arlacchi.
Lufta në Ukrainë, çfarë duhet të dini (A2 Televizion)
- Pas një fundjave të mbushur me luftime, Rusia nuk ka arritur dot të marrë kontrollin e Kievit.
- Sot është parashikuar një takim mes delegacioneve të të dy shteteve, në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë.
- Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se 24 orët e ardhshme, dita e pestë e pushtimit rus, do të jenë kyç për ecurinë e luftës.
- Një ditë më parë, Presidenti Vladimir Putin urdhëroi kalimin në gatishmëri të lartë të armatimeve bërthamore të Rusisë.
- Shërbimet inteligjente ukrainase thonë se Bjellorusia po përgatitet të dërgojë trupat e saj krah atyre ruse.
- Bashkimi Europian ka ndërmarrë hapin e paprecedentë dhe ka vendosur të dërgojë armë në Ukrainë, si dhe ka mbyllur hapësirën e vet ajrore për Rusinë.