Trupat ushtarake kineze kanë përdorur disa armë elektromagnetike për të detyruar ushtarët indianë të tërhiqen nga qëndrimi në Himalaje, ka pohuar një profesor. Armët që “gatuajnë” indin njerëzor i kthyen majat e maleve në “një furrë mikrovale” dhe i bënë ushtarët indianë fillimisht të ndihen sëmurë, me shqetësime të tilla si të vjella, apo temperaturë.
Autoritetet kineze përshëndetën forcat e tyre ushtarake, për kryerjen e kësaj mase që largoi trupat indiane pa shkelur në kufirin e diskutueshëm dhe duke u shprehur se, “brenda 15 minutash nga përdorimi i armëve, ata nuk mund të ngriheshin më në këmbë, ndaj ikën dhe kështu e rimorëm tokën tonë”.
Forcat e Kinës vendosën të përdorin armët sepse lartësia ishte shumë e madhe për të luftuar kundër një ekipi specialistësh të alpinizmit. Nga ana tjetër, të shtënat me armë janë të ndaluara sipas një marrëveshjeje të vjetër, megjithëse kishte të shtëna paralajmëruese, në shtator, në një shkëmbim zjarri për të cilin të dyja palët ia vunë fajin njëri-tjetrit.
Ndonëse, armë të tilla elektromagnetike janë krijuar në SHBA, përdorimi i pretenduar i tyre, nga Kina, mund të jetë i pari kundër trupave armike kudo në botë. Armët janë parashikuar, gjithashtu, për përdorim në kontrollin e turmës dhe punojnë duke ngrohur ujin nën lëkurë, në temperatura të larta, të cilat u japin njerëzve dhimbje, të vjella dhe temperaturë.
Lajmi për përdorimin e pretenduar të armës në Himalaje vjen në një kohë që Kina dhe India diskutojnë për të ulur tensionet në kufirin e thyer të malit. Të dyja shtetet kanë vendosur dhjetëra mijëra trupa ushtarake në zonën e konfliktit, në të cilën India thotë se 20 ushtarë të saj u vranë në një përleshje, ndërsa Kina pranoi viktimat, por nuk dha shifra. (A2 Televizion)