
Ukraina dhe Rusia u përplasën në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ditën e hënë lidhur me vendimin e Moskës për tu tërhequr nga marrëveshja për eksportin e drithërave. Ambasadori i Kievit e quajti lëvizjen një shantazh ndërsa Moska akuzoi Ukrainën se po shfrytëzonte korridorin e përdorur nga anijet me drithëra në Detin e Zi për qëllime ushtarake dhe sabotazhi.
“Të gjithë po e shohin qartë se pala ukrainase e shfrytëzon korridorin humanitar në detin e zi për qëllime ushtarake dhe sabotazhi. Kësisoj pala ruse nuk mund të garantojë sigurinë e anijeve civile që po marrin pjesë në iniciativë. Ne nuk duam që akte terrori të përgatiten nga Kievi me sponsorizimin e Perëndimit”, tha ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzia.
Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia kishte pezulluar dhe nuk i kishte dhënë fund pjesëmarrjes në marrëveshjen që lejon kalimin e sigurt të anijeve me drithëra në portet ukrainase. Moska njoftoi vendimin të shtunën, kur denoncoi një sulm me dron ndaj flotës së saj në Detin e Zi nga ushtarët e Kievit, që, siç tha, ishin ndihmuar nga Britania e Madhe. “Nuk po themi se po tërhiqemi përfundimisht nga pjesëmarrja në këtë ujdi. Po themi se po pezullojmë pjesëmarrjen”.
Një prej mundësuesve të kësaj ujdie është Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Le të komunikojë me Ukrainën, e të garantojë se nuk do të ketë rreziqet për anijet civile. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se ujdia do të nderohej dhe akuzoi Moskën se po përdor urinë për të shantazhuar botën. Pavarësisht përplasjeve, 12 anije me 354 mijë e500 ton ushqime, përfshirë edhe drithëra lanë portet ukrainase të hënën, një volum rekord që prej zbatimit të marrëveshjes. (A2 Televizion)