
Rusia lëshoi sulmin më të madh që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Shenjë e qartë se zemërimi për bombardimin e urës së Krimesë nuk ka kaluar. Shënjestër ishte sërish qyteti jugor, Odesa. Por sirenat e alarmit janë dëgjuar thuajse në të gjitha qytetet ukrainase, me shpërthime të dëgjuara edhe në Kiev.
Forcat ajrore njoftuan rrëzimin e 23 dronëve dhe 14 raketave ruse Kalibr, të lëshuara nga luftanije apo nëndetëse në Detin e Zi. Megjithatë në Odesa janë dëgjuar shpërthime të forta gjatë orëve të para të së mërkurës.
“Një sulm i tillë nuk është parë që prej nisjes së luftës në shkallë të gjerë”, konfirmoi në rrjete sociale kryebashkiaku i Odesës, Hennadii Trukhanov, duke shtuar se ishte një nga netët më të tmerrshme. Disa persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa raportohen dëme të konsiderueshme materiale.
Nga zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thonë se sulmi i ushtrisë së Putinit po bëhet qëllimisht për të ndaluar dërgesat e grurit dhe dëmtuar strukturat portuale.
“Dëshirojmë që partnerët tanë, Kombet e Bashkuara dhe Turqia, të mos kenë frikë që të bëjnë gjithçka të mundur që ne të përdorim korridorin në Detin e Zi edhe pa Federatën Ruse. Ne nuk kemi frikë ta bëjmë një gjë të tillë.”
VOLODYMYR ZELENSKY, PRESIDENT I UKRAINËS
Këshilltari Mykhailo Podolyak, tha se në Odesa është goditur një terminal për grurin dhe një tjetër për naftën. Ndërkohë, edhe Ukraina ka lëshuar dronët e saj për të goditur palën tjetër. Autoritetet ruse, të cituara nga agjencia e lajmeve Tass, raportojnë për një mbyllje të një zone në qytetin portual Kerç në Krimenë e aneksuar.
Shkak për këtë është një zjarr i rënë pranë një baze ushtarake. Reuters raporton se në atë zonë janë evakuuar mbi 2 mijë persona. Banorët lokalë në Kerç rrëfejnë se kanë dëgjuar shpërthime, përveç zjarrit të rënë në një kamp stërvitor të ushtrisë ruse.
Megjithatë inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka bërë me dije se udhëheqësi Kirylo Budanov, nuk ka konfirmuar për ndonjë sulm të kryer në Krime. Më herët mediat në Kiev raportuan për një operacion të inteligjencës që po zhvillohej në gadishullin e aneksuar nga Rusia. (A2 Televizion)