
Në Bruksel gjendet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por jo për të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve në dialogun me Kosovën.
Ai do të zhvillojë një takim në selinë e NATO-s me sekretarin e përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës do të jetë tema kryesore e bisedës, por me një fokus të veçantë në veriun e Kosovës.
Vuçiç e kërkoi këtë takim me Stoltenberg, siç ka njoftuar ai, për të shprehur shqetësimet e tij lidhur me atë që e konsideron dhunë e vazhdueshme ndaj serbëve të Kosovës.
Madje ka akuzuar qeverinë e Albin Kurtit për spastrim etnik të heshtur, me pretendimin se policia i ka shpallur në kërkim pjesën më të madhe të serbëve në Kosovë. Gjatë samitit të fundit të NATO-s, kreu i aleancës ushtarake shprehu shqetësim të madh për tensionet në veri dhe për raportet Prishtinë-Beograd. Gjithashtu, sqaroi se KFOR-i është në Kosovë për të garantuar sigurinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. (A2 Televizion)